Qyteti i Beratit

Berati, përshkrim

Berati është qytet me rreth 65.000 banorë dhe njëra nga dy bashkitë e Rrethit të Beratit që bën pjesë në Qarkun e Beratit. Trojet e Beratit, sipas arkeologëve kanë qenë të banuara nga njerëz të civilizuar që nga shekulli VII para erës sonë. Qyteti trashëgon nga e kaluara një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike e të besimeve, të tilla që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin.

Vendet turistike dhe historike me interes per tu vizituar ne Berat:

  • Kalaja e Beratit
  • Ura e Gorices
  • Kishat e Beratit
  • Parku Kombetar ne Malin e Tomorrit

Gjeografi

Shtrirja Gjeografike
Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 m mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum, para se ky të dalë në fushën e Myzeqesë, më e madhja e Shqipërisë. Rrethi i Beratit shtrihet në Krahinën Malore Qendrore e pjesërisht në Ultësirën Jugperëndimore të Shqipërisë, në koordinatat: gjerësi gjeografike: Veri 40 gradë 52’24”; Jug 40 gradë 29’30” (qyteti 40 gradë 41’06”); gjatësi gjeografike: Lindje 20 gradë 10’51”; Perëndim 19 gradë 44’30” (qyteti 19 gradë 56’40”). Rrethi mbulon një sipërfaqe prej 953,6 km katror (qyteti 1,6 km katror).

Klima
Klima e rrethit është tipike mesdhetare, me temperaturë mesatare vjetore 15,9 gradë C. Temperatura mesatare e muajve më të ftohtë është 7,2 gradë C dhe ajo e muajve më të nxehtë 28,2 gradë C. Temperatura absolute më e ulët ka qenë –12,2 gradë C dhe ajo maksimale 47,1 gradë C. Sasia mesatare vjetore e rreshjeve është 928 mm, kryesisht në muajt e dimrit. Qyteti i Beratit është i ventiluar mirë dhe ajri është i pastër falë edhe gjelbërimit brenda qytetit dhe në kodrat që e rrethojnë. Tokat bujqësore janë kryesisht të hinjta-kafe, me shpërndarje: 36% në fushë, 38% në zonë kodrinore dhe 26% në zonë malore.

Histori

Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit. Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P.Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kasandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P.Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Pulheriopolis (Qytet i bukur). I pushtuar nga bullgarët në shek. IX, u quajt Belgrad (Qytet i bardhë) – Berati i sotëm.